Trajtimi i mbetjeve

Mbetjet janë një nga çështjet që na prek të gjithëve prandaj vëmendja që duhet tu kushtohet është shumë e madhe. Ne konsumojmë , e si rrjedhojë çdo ditë prodhojmë mbetje të cilat në sasi janë duke u rritur ndjeshëm. Sfida më e madhe Europiane sot është Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve për të reduktuar ndikimet negative që ato kanë në mjedis. Mungesa e menaxhimit të mbetjeve dhe grumbullimi i tyre në venddepozitime që nuk respektojnë politikat mjedisore sjell pasoja serioze për shoqërinë dhe planetin Tokë. Procesi i menaxhimit kalon nëpër disa etapa siç ilustrohet dhe në piramidën e mëposhtme.
Parandalimi
Manaxhimi i mirë i mbetjeve fillon me parandalimin e krijimit të mbetjeve - në fund të fundit, ajo që nuk prodhohet nuk duhet të hidhet. Parandalimi i mbetjeve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me rritjen e popullsisë globale. Një nga mjetet kryesore që po përdoret për të nxitur parandalimin e mbetjeve është eko-dizajni, i cili fokusohet në aspektet mjedisore gjatë fazës së konceptimit dhe dizenjimit të një produkti. Produktet ekologjikisht miqësore duhet të bëhen duke përdorur lëndë të para të riciklueshme dhe duhet të shmangin përdorimin e substancave të rrezikshme. Këto produkte duhet të konsumojnë më pak energji gjatë fazës së përdorimit dhe duhet të jenë në gjendje të riciklohen. Shumë Shtete Anëtare të BE-së po zhvillojnë fushata ndërgjegjësimi për të edukuar publikun dhe për të inkurajuar konsumatorët që të kërkojnë mallra që prodhojnë më pak mbeturina dhe të nxisin krijimin e një tregu më efikas të burimeve.
Ripërdorimi
Kjo shtresë e piramidës i drejtohet secilit prej nesh si qytetar, si kompani të cilët çdo ditë konsumojmë, prodhojmë dhe blejmë produkte të cilat në një moment të caktuar mund të dalin jashtë mode, të vjetërohen apo të pësojnë defekte. Të mësojmë se si ti ripërdorim ato për qëllime të tjera në vend që ti flakim tutje pa e menduar dy herë.
Riciklimi
Në Impiantet e Trajtimit të Mbetjeve, procesi i selektimit është një nga më të rëndësishmit i cili trajtohet me seriozitet dhe kujdes të madh. Në këtë proces selektohen dhe nxirren mënjanë të gjitha mbetjet si metalet apo qelqi që mund ti nënshtrohen një procesi riciklimi . Ne synojmë që ti përdorim mbetjet me eficiencë për të përfituar sa më shumë nga trajtimi i tyre. Mbetjet e riciklueshme do të dërgohen në kompanitë përkatëse të selektimit dhe do ti nënshtrohen proceseve të mëtejshme.
Rikuperimi
Rikuperimi është faza e cila pasqyron dhe rëndësinë e Impianteve të Prodhimit të Energjisë nga Mbetjet. Impiantet WtE operojnë duke respektuar standardet mjedisore të përcaktuara qartë nga BE. Objektivi dhe qëllimi final në fushën e mbetjeve është që mbetjet që përdoren për prodhim energjie në formën e avullit, elektricitetit apo ujit të nxehtë të jenë mbetjet që ngelen pas 3 proceseve të mësipërme. Për Ekonominë Qarkulluese të BE përfitimi nga çdo burim është thelbësor. Prodhimi i energjisë nga mbetjet që nuk arrijnë t’i nënshtrohen ripërdorimit ose riciklimit është pjesë integrale e ekonomisë qarkulluese. Sipas të dhënave të Eurostat prodhimi i energjisë nga mbetjet urbane në 2016 në Evropë është dyfishuar krahasuar qysh nga 1995, duke u reduktuar ndjeshëm depozitimi i mbetjeve në landfille.
Asgjësimi
Landfillimi i mbetjeve sot nga BE konsiderohet si forma më e vjetër e trajtimit të mbetjeve urbane dhe mënyra më pak e dëshirueshme, për arsye të potencialit të madh të ndikimeve negative që mund të ketë groposja e mbetjeve në to. Për këtë arsye në Hierarkinë e Mbetjeve ai është në fund të piramidës. Një nga pasojat më serioze është prodhimi dhe lëshimi në ajër i Metanit, një gaz i efektshëm serrë 25 herë më shumë i fuqishëm se CO2 (dioksidi i karbonit), i cili kontribuon negativisht në ndryshimet klimaterike të planetit Tokë. Në mënyrë që të largohen mbetjet nga depozitimi në landfille, shumica e Shteteve Anëtare të BE-së aplikojnë një formë të taksës së depozitimit dhe / ose ndalimin e depozitimit, sipas Direktivës së Landfilleve.