
Cikli Termik
Cikli termik realizohet nëpërmjet kaldajës, e përbërë nga një seri tubacionesh, valvolash dhe pajisjesh (depozita, degazator, pompa, etj…) që lejojnë përcjelljen e avullit të tejnxehur në turbinë dhe mbyllin ciklin duke marrë avullin e kondensuar nga turbina për të furnizuar kaldajën.
Procesi nis në dhomën e djegies, bazamenti i së cilës është i përbërë nga grila fikse dhe të lëvizshme, lëvizja e të cilave realizohet nëpërmjet pistonëve hidraulik, që lejojnë materialin të lëvizë dhe të kalojë në 4 faza:
- Tharje e plotë e materialit
- Ndezja e materialit dhe fillimi i djegies
- Djegie e plotë e materialit
- Kthimi në hi i materialit.
Shndërrimet e Energjisë
Energjia kimike e përmbajtur në MNU (mbetje të ngurta urbane) në dhomën e djegies, shndërrohet në nxehtësi e cila përcillet nga tymrat që prodhohen nga djegia.
Tymrat me një temperaturë rreth 950 °C, kalojnë kaldajën duke dhënë energjinë e tyre drejtpërdrejtë në ujin që rrjedh brenda tubave të kaldajës që hyn në modulin ekonomizues me një temperaturë rreth 170 °C, shndërrohet në fillim në avull të ngopur e më pas ne avull te tejnxehur në temperatur 400 °C dhe presion 40 Bar.


Cikli i mbyllur Ujë → Avull → Ujë
Avulli i tejnxehur drejtohet për në turbinë në të cilën energjia e avullit shndërrohet në energji mekanike. Ndërkohë energjia mekanike e turbinës shndërrohet në energji elektrike si rezultat i veprimit të një gjeneratori elektrik. Një nxjerrës avulli i turbinës lejon nxjerrjen e nxehtësisë së nevojshme për vetë procesin.
Avulli në dalje të turbinës kondesohet dhe nëpërmjet sistemit të kondesimit, kthehet në gjendje të lëngët.
Uji i kondensuar dërgohet në degazator në të cilin eliminohet oksigjeni i tepërt dhe dioksidi i karbonit.
Nga degazatori nëpërmjet një sistemi pompues uji shtyhet në ekonomizues dhe rinis kështu ciklin.
I gjithe uji qarkullon në këtë mënyrë në një cikel të mbyllur.
Në të njëjtën kohe tymrat e djegies do të kenë lënë energjinë e tyre termike në ujë dhe në avullin e ngopur duke ulur si rrjedhim temperaturën e tyre.
Para se të shkarkohen në atmosferë, tymrat kalojnë në një proces kompleks trajtimi dhe monitorimi të vazhdueshem.