Inaguruam sot bashkë me Kryeministrin Rama dhe ministrin e mjedisit Z.Lefter Koka, Landfillin e trajtimit të mbetjeve urbane dhe industriale të sigurta për Qarkun e Elbasanit.
I pari i këtij lloji në vend, ky është një nga projektet më të mëdha në fushën e mjedisit, i realizuar sipas standardeve e parametrave të përcaktuara nga BE. Ky investim e shndërron Elbasanin nga një gangrenë mjedisore, në histori suksesi mjedisor për këto 2 dekadat e fundit në Shqipëri.Për herë të parë, në vendin tonë do të kemi përftim nga mbetjet. Ndryshe nga landfillet e mëparshme, Bashkia Elbasan do të ketë kosto zero për mbetjet e krijuara. Investimi do të garantojë për banorët dhe bizneset e zonës prodhimin e energjisë, gati për të filluar me kapacitet të plotë, menjëherë me përfundimin e tij.
Landfilli që inaguruam sot mbyll përfundimisht venddepozitimin aktual të mbetjeve, që gjenerohen në Bashkinë e Elbasanit duke sjellë impaktin e parë në reduktimin e ndotjes. Përfundimi i investimit në fund të 2016-ës, me finalizimin e impiantit, do të konkretizojë objektivin tonë, për një mjedis më të pastër dhe shëndetshëm për qytetarët.